Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, me sukses ka arritur të riaftësohet pas operacionit në gju, dhe pritet të jetë i gatshëm t'i ndihmojë Zonjës së Vjetër në sfidat e radhës që parashihen të mos jenë të lehta, megjithatë 31-vjeçari ka vendosur që tash e tutje t'i përkushtohet vetëm skuadrës, e jo edhe kombëtares së Francës, për të cilën ai më nuk llogarit. Në fakt, treze-gol nga viti i shkuar nuk është përfshirë asnjëherë në ekipin kombëtar nga selektori Raymond Domenech, pavarësisht faktit se ai ka kaluar një vit jashtëzakonisht të mirë duke qenë golashënuesi i dytë në ligë pas Alessandro del Pieros. «Koha ime në kombëtare ka marrë fund. Kam pasur shumë kohë të mendoj për një gjë të tillë derisa isha i lënduar dhe kam analizuar gjithë situatën duke ardhur në përfundim se nuk e vlen të harxhohet energji negative derisa në krye të kombëtares të jetë një njeri pa vlera si Domenech", ka deklaruar për mediat franceze makineria e golave. Trezeguet fanellën e trekolorëve e ka bartur 71 herë, ndërsa ka realizuar 34 gola. Ai ka të fituar kupën e botës dhe atë të Evropës, ndërsa për titullin e fundit të fituar në vitin 2000 ka meritat më të mëdha pasi realizoi golin e artë në ndeshjen finale kundër Italisë.