Sundimit të Carlo Ancelottit mund t’i vijë fundi te Milani nëse ai dështon edhe këtë sezon ta fitojë Scudetton, ndërsa njoftohet se njëri nga zëvendësuesit potencialë të tij, është ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë, Roberto Donadoni.
Rossonerët aktualisht mbajnë pozitën e tretë në Serie A me tetë pikë diferencë nga lideri Inter, derisa Derby della Madonnina që zhvillohet të dielën ndërmjet dy skuadrave rivale mund të jetë vendimtari për Milanin, i cili ka nevojë vetëm për fitore.
Ndërkohë, Ancelotti është në planet e Chelseat, të cilët pas shkarkimit të Luiz Felipe Scolarit kanë angazhuar përkohësisht Guus Hiddinkun, ndërsa mediat italiane dhe ato britanike spekulojnë se ish-trajneri i Juventusit është kandidati kryesor për ta marrë drejtimin Chelseat në qershor.
“La Gazzetta dello Sport” shkruan se Milani tashmë ka përpiluar listën me emrat e trajnerëve, të cilët mund ta zëvendësojnë Ancelottin, ndërsa listës i prin Roberto Donadoni.