Sulmuesi spanjoll Fernando Torres ka shënuar dy gola të vonshëm, për t’i mundësuar Liverpoolit të mposhtë në Anfield, Chelsean e mbetur me 10-lojtarë në fushë, dhe për të ngushtuar diferencën në krahasim me liderin e tabelës, Manchester United.
Pas 88 minutash lojë pa gola, Torres çoi në këmbë të gjithë tifozët e të kuqve, kur shënoi një gol të bukur me kokë, pas harkimit nga Fabio Aurelio (89’), duke sjellë edhe avantazhin e parë për Liverpoolin.
Goli, i cili ishte i pari i Torres këtë sezon në Anfield, u pasua shpejt edhe nga një gol tjetër i spanjollit, që shënoi në çastet e fundit të ndeshjes. Kësaj here për golin e dytë asistoi zëvendësuesi Yossi Benayoun.